Angel Di Maria komentoi të shkuarën e tij tek Real Madridi, klub me të cilin luajti për 4 vite, prej 2010 deri në 2014. Anësori Argjentinas theksoi që edhe pse ka një të shkuar në Madrid, nuk do të kishte asnjë problem të luante në Barcelonë.
”Marëdhënia ime me Real Madridin ka mbaruar. Cikli im ka kohë që është mbyllur. Sinqerisht, nuk do të kisha asnjë problem të luaja në Barcelonë,” deklaroi ‘el Fideo’ në një intervistë për revistën Franceze ‘So Foot’.
Di Maria, që nesër do të rikthehet në Santiago Bernabeu për të mbrojtur ngjyrat e PSG, qartësoi që i vetmi klub për të cilin nuk do të luante kurrë është Newell’s Old Boys, rivali i Rosario Central, ku anësori u formua si futbollist përpara se të përfundonte tek Benfica.
Di Maria, që poashtu nesër do të festoje përvjetorin e 30 të lindjes, zbuloi se është këshilluar nga një psikolog për muaj të tërë: ”Më ka ndihmuar të shërohem nga dëmtimet, nga veset. Poashtu më ka ndihmuar të përballoj presionin, të jem më i relaksuar,” pranoi ai.
Ish-lojtari Madrilen poashtu zbuloi një episod në botërorin e vitit 2014, kur mori një letër nga Real Madridi që i këshillonte të firmoste një dokument që konfirmonte se kombëtarja Argjentinase është përgjegjëse për atë që i ndodhi në finale kundër Gjermanisë. ”U bezdisa që kur e lexova dhe më pas e grisa”, rikujtoi Argjentinasi, që përfundoi jashtë finales së botërorit të humbur nga Gjermania me protagnoist Mario Gotze.
Por, sipas tij, ‘nuk ka nevojë të rikujtoje këtë kartelë për të qenë i motivuar ndaj Real Madridit. Përballjet me Real Madridin janë gjithmonë një motivim,” përfundoi ai.