Real Madridi do ta përfundojë këtë sezon pa asnjë trofe të fituar, një sezon totalisht i dështuar dhe me asnjë objektiv kryesor të arritur. Skuadra është parë në një formë të dobët pothuajse gjatë gjithë sezonit. Por cilat janë arsyet e këtij sezoni të dobët të zhvilluar prej skuadrës?
1. Largimi i Cristiano Ronaldos
Nuk është e lehtë të largosh nga skuadra një ndër lojtarët më të mirë në histori, për të mos thënë më i miri, duke mos e zëvëndësuar me asnjë lojtar tjetër dhe më pas të pretendosh që objektivat sezonalë të arrihen. Nuk ka nevojë për shumë fjalë për t’a përshkruar Cristianon dhe rëndësinë e tij. Gabimi më i madh i drejtuesve të lartë të Realit ishte fakti që ata besuan se lojtarë si Benzema, Bale, Asensio & Vasquez do arrinin të mbulonin mungesën e tij në sulm.
2. Largimi i Zinedine Zidane
Përveç Cristianos, në përfundim të sezonit deklaroi largimin edhe trajneri Zidane, trajneri i tre trofeve të Championsit rradhazi, trajneri që për lojtarët ishte më shumë se një trajner, trajneri që arriti të krijonte një frymë të pabesueshme skuadre. Sigurisht kjo pati një ndikim mjaft të madh tek lojtarët, gjë e cila u pa qartë në reagimet e tyre pas largimit të francezit.
3. Emërimi në stol i një trajneri që aplikon stilin ‘tiki-taka’
Zizou u zëvëndësua me Julen Lopeteguin, një trajner spanjoll i cili aplikon stilin e quajtur ‘tiki-taka’, një stil loje me shumë pasime dhe me skuadrën që zhvendoset shumë lart në fushë. Real Madridi nuk ka luajtur kurrë në një formë të tillë, sidomos në dekadën e fundit. Reali është një skuadër që karakterizohet nga kundërsulmi, gjuajtjet jashtë zone, shpejtësia, vertikalizimet, krosimet apo dhe loja fizike. Të gjitha gjitha këto ranë poshtë me ardhjen e Lopeteguit, i cili preferon prekjet e shumta të topit, ndërtimin e aksioneve me shumë pasime rreth e përqark zonës deri sa të gjendet hapësira për vertikalizim në zonë dhe më pas të shënohet gol.
4. Mungesa e transferimit të një 9′ tipik
Në fazën e parë të sezonit u dallua qartë mungesa e një sulmuesi në zonë, një numër 9 tipik i aftë për të shënuar. Edhe pse Karim Benzema nuk ka zhvilluar një sezon të keq, në fazën e parë të sezonit (në ndeshjet më të rëndësishme) ai nuk arriti të shprehej siç duhet. Për më tepër që vetë Benzema është një lojtar që pëlqen të kthehet shumë mbrapa, të ndërtojë aksionet dhe të japë pasime për gol, ndryshe nga qendërsulmuesit e tjerë që presin të shërbehen në zonë. Benzema është më shumë si një ‘second striker’, pra një sulmues i dytë që dëshiron të ketë edhe një sulmues tjetër përpara vetes në sulm.
5. Mungesa e një 11-she titullare fikse
Me largimin e Cristianos u prishën edhe ekuilibrat. Fakti që skuadra nuk transferoi asnjë lojtar për ta zëvëndësuar, trajnerët (Lopetegui, Solari & Zizou) përdorën disa skema loje për të rigjetur ekuilibrin. Asnjëri nga trajnerët nuk arriti të ndërtojë një 11-she fikse, një sulm, një mesfushë dhe një mbrojtje të konsoliduar përgjatë sezonit.
6. Forma e dobët e lojtarëve
Një tjetër arsye e fortë ka qenë forma jo e mirë e lojtarëve. Lojtarë të tillë si Marcelo, Kroos, Modric, Bale apo edhe Asensio janë kritikuar vazhdimisht nga opinioni publik sportiv në Spanjë pasi nuk kanë treguar nivelin e pritur të lojës.
7. Tifozeria në shkallët e Santiago Bernabeut
Dihet se publiku në Bernabeu është jashtëzakonisht i ndjeshëm. Përkundër formës së dobët të skuadërs, edhe publiku përgjatë sezonit nuk ka qenë shumë ‘bashkëpunues’. Në shumë momente skuadra është vërshëllyer në Bernabeu, duke krijuar situata vërtet të pakëndshme për lojtarët.
8. Gjyqtarët
Ndoshta nuk është arsye e fortë, por nuk mund të lihet pa u përmendur. Në shumë ndeshje gjyqtarët nuk kanë qenë në nivelin e duhur dhe kanë bërë gabime fatale pavarësisht prezencës së VAR-it. Mjafton të kujtojmë ndeshjen ndaj Sociedad ku portieri ndërhyri ndaj Vinicius në zonë dhe ishte penallti e pastër dhe karton i kuq (duke qenë se ishte lojtar i fundit), por kjo as nuk u kontrollua fare me VAR. Kujtojmë që ndeshja ishte 0-0 në ato momente dhe më pas Sociedad arriti të shënojë 2 gola. Po ashtu vlen për t’u përmendur goli totalisht i pavlefshëm i Ajax në ndeshjen në Bernabeu (goli i tretë) ku topi më parë kishte dalë qartë jashtë vijave anësore.
9. Mungesa e motivimit
Pas pothuajse një cikli madhështor në futboll në 5 vitet e fundit, ku vlen të theksohen 4 Champions të fituar, është normale që të ketë një rënie motivimi tek lojtarët.
10. Marrëdhënia mes lojtarëve
Disa herë gjatë sezonit në fushën e lojës janë parë situata të tensionuara edhe mes vetë lojtarëve të Real Madridit, duke treguar për një klimë jo optimale në grup.