Real Madridi luan sot ndeshjen e parafundit të këtij sezoni në La Liga ndaj Real Sociedad. Zinedine Zidane publikoi listën e lojtarëve të ftuar dhe bie në sy mungesa e Gareth Bale. Uellsiani është në formë të mirë fizike, nuk ka asnjë dëmtim dhe është totalisht i gatshëm për të luajtur, por nuk është grumbulluar. Edhe në ndeshjen ndaj Villareal një javë më parë, Zizou nuk e grumbulloi fare me skuadrën. Mediat në Spanjë aludojnë se tekniku francez e ka takuar personalisht uellsianin dhe i ka komunikuar faktin që sezonin e ardhshëm ai nuk bën pjesë në planet e klubit, prandaj duhet të gjejë një klub tjetër.
Por çfarë ndodhi me Gareth Bale?
Real Madridi e transferoi nga Tottenham në vitin 2013 dhe ishte lojtari më i shtrenjtë në atë kohë (100 milionë euro). Erdhi me shumë dëshirë tek Reali, madje edhe me ‘forcë’ pasi kujtojmë që nuk pranoi të grumbullohej më me Tottenham vetëm që të ndodhte transferimi. Në atë kohë, shihej në planin afatgjatë si zëvëndësuesi perfekt i Cristiano Ronaldos. Filloi sezonin dhe zhvilloi një sezon debutues fantastik duke u aktivizuar nën urdhrat e Carlo Ancelottit si sulmues i djathtë në një skemë të pastër 4-3-3. Ishte një lojtar me të vërtetë i jashtëzakonshëm, lojtar që të mbushte me shpresë. Shpërthyes në krahun e djathtë, i papërmbajtshëm, shumë driblues dhe me një goditje fantastike. Formoi një partneritet sensacional me Cristianon & Benzeman, aq sa mediat ju referoheshin me ‘nickname-n’ BBC. Arriti ta gjente shumë herë rrjetën dhe ishte ndër ‘aktorët’ kryesorë të skuadrës edhe në pasimet e fundit për gol tek shokët e skuadrës. Në përfundim të sezonit arriti të fitojë UEFA Champions League dhe arriti të shënojë gol në finalen e Lisbonës ndaj Atletico Madrid (goli i 2-1). Po ashtu ishte lojtari që arriti të siguojë Kupën e Mbretit, duke shënuar golin e famshëm ndaj Barcelonës, në një sprint rreth 45 metra.
Fillon sezoni i ri, sezoni 2014/2015 dhe këtu nis ‘rënia’ e Gareth Bale. Që nga ai sezon e deri më sot, historia është e njëjtë – ritëm jokonstant, performanca nga më të ndryshmet, kryesisht performanca shumë poshtë nivelit të një lojtari mesatar, pothuajse i padukshëm në ndeshjet e rëndësishme të sezonit. Nga ana taktiko-teknike e lojës së tij mund të dallosh probleme të dukshme – pozicionim jo i mirë në sulm, mungesë e pasimit final, në mënyrë analoge, mungesë e theksuar e ‘sulmit ndaj zonave boshe në zonë’ për të shfrytëzuar pasimet e bashkëlojtarëve, pothuajse asnjë tentativë për pasime mes linjave, nuk arrin as të krijojë hapsirën e nevojshme përmes driblimit që të tentojë një goditje drejt portës.
Për të mos përmendur pastaj dëmtimet e njëpasnjëshme. Që nga ajo kohë, pothuajse në 40-45% të ndeshjeve nuk ka qenë i gatshëm për shkak dëmtimesh. Rrjedhimisht, pas dëmtimeve kërkon pak kohë që të kthehesh në formë optimale. Historia vazhdon e njëjtë. Vlen për t’u përmendur edhe komunikimi me shokët e skuadrës. Përveçse me Luka Modriç, bie në sy një komunikim shumë i ftohtë mes Gareth Bale dhe bashkëlojtarëve. Dallohet edhe në mënyrën si feston golat, duket si i shkëputur nga skuadra. Kjo pasqyrohet qartë edhe në lojë.
Këto probleme ishin të dukshme, aq sa Rafa Benitez mendoi t’i ndryshojë pozicionin. Tekniku spanjoll e vendosi uellsianin si trekuartist, pas Karim Benzemas, me Cristianon dhe Vasquezin në sulm, por rezultati ishte i njëjtë.
Edhe në ‘erën’ e Zinedine Zidane, nuk arriti të shprehë potencialin e tij maksimal. Ashtu si Benitez, edhe Zizou e mendoi zgjidhjen e problemit nëpërmjet ndryshimit të pozicionit, duke e vendosur Cristianon në qendër të sulmit dhe Bale në krahun e majtë, por pa rezultat.
Rikujtojmë që dy finalet e fundit të Championsit, nuk ka qenë titullar pavarësisht se ka qenë i gatshëm për të luajtur. Pikërisht kjo duket pikënisja e problemeve ‘personale’ mes Bale dhe Zizou, probleme që duken qartë edhe sot, sidomos polemikat në distancë mes teknikut francez dhe agjentit të uellsianit. Duke lënë mënjanë raportin me Zizou, ajo çfarë e agravon më tepër situatën është raporti me tifozët e Bernabeut, të cilët nuk e duan fare në skuadër. Nuk e teprojmë po të themi që ndoshta edhe ‘e urrejnë’. Në 2 vitet e fundit, vërshëllima në kor çdoherë kur Bale futet në lojë, kur del nga loja apo kur humbet topin.
Një situatë e tillë nuk mund të vazhdojë më gjatë, për më tepër në një klub si Real Madridi me objektiva stratosferikë. Nuk mund të themi që Bale nuk ka patur kontribut tek klubi, madje ka patur një kontribut jo të vogël, por ndoshta ka ardhur koha për një eksperiencë të re, një eksperiencë në një klub me kërkesë më të ulët llogarie, në një klub ku të fitosh dashurinë dhe besimin e tifozëve, në një klub ku mund të fillosh të luash përsëri FUTBOLL…
…apo jo, Gareth?