Transferimi më i bujshëm i merkatos së kaluar ishte pikërisht ai i Cristiano Ronaldos që u largua për një aventurë të re nga Real Madridi tek Juventus. Ky transferim e ndryshoi të gjithë skenarin e vazhdimësisë së sezoneve të mira që kishte bërë Real Madridi në vitet e fundit (mjafton të kujtojmë suksesin e tretë rradhazi në Champions League).
Që në fillim të sezonit, në mungesë të numrit 7, u dallua diferenca që bënte portugezi në fushë. Skuadra u përball gjatë gjithë sezonit me problemin e gjetjes së golave, problem i cili i nxorri nga gara në çdo kompeticion. Të gjithë analistët më në zë në Spanjë e përkufizojnë këtë sezon si një kaos total për madrilenët dhe është e qartë që duhen nënshkrime të reja, duhet një vizion i ri, një projekt i ri – me pak fjalë, një fytyrë tjetër e Real Madridit.
Pikërisht për këtë gjë, pas Julen Lopeteguit dhe Santiago Solarit, presidenti Perez solli përsëri në drejtim Zinedine Zidane, të cilin e shikon si udhëheqësin ideal të projektit të ri, projekt i cili do të karakterizohet nga shumë nënshkrime. Por si do duket Real Madridi i ri i Zinedine Zidane?
Gjatë kohës së Cristianos, skuadra varej pikërisht nga ai dhe Zizou kishte mundësinë të aplikonte 3 skema të ndryshme loje, 4-4-2 (të sheshtë), 4-3-3 (të pastër) dhe 4-3-1-2 (me mesfushë në formë rombi). Sezonin e ardhshëm do të ndryshojnë shumë gjëra dhe Zizou po projekton një skuadër shumë dinamike në lojë, një skuadër fizke, solide në mbrojtje dhe sa më të shpejtë në kundërsulm (në fazën e tranzicionit – nga mbrojtja tek sulmi).
Në portë pritet të jetë titullar Thibaut Courtois, me Keylor Navas që nuk dëshiron të largohet.
Në mbrojtje pritet të jenë titullarë të njëjtit si sezonin e kaluar, Marcelo – Ramos – Varane – Carvajal, por ndryshimi do bëhet tek alternativat. Real Madridi ka transferuar Eder Militaon (qendërmbrojtës) nga Porto dhe synon të marrë edhe Ferland Mendy (mbrojtës i majtë) nga Lyon duke huazuar kështu Sergio Reguilon. Militao është një lojtar shumë fizik dhe i saktë, i ngjashëm me Pepe-n. Mendy është një lojtar me një sprint të jashtëzakonshëm, shumë i aftë në fazën sulmuese dhe i përshtatshëm për lojë të shpejtë dhe me kundërsulm. Odriozola & Nacho pritet të kenë rol të rëndësishëm gjatë sezonit, në rastet kur lojtarët e tjerë dëmtohen apo kanë nevojë për pushim.
Mesfusha pritet të ketë ndryshime. Askush nuk e ka vendin të sigurt dhe pritet të ketë rotacione. Real Madridi synon të transferojë Paul Pogba nga Manchester United apo Christian Eriksen nga Tottenham. Transferimi i njërit prej të dyve do i jepte teknikut francez një shumëllojshmëri alternativash në mesfushë, duke patur parasysh që lojtarët e tjerë në dispozicion janë lojtarë të klasit botëror si Luka Modric, Isco Alarcon, Toni Kroos apo Casemiro. Dani Ceballos dhe Marcos Llorente pritet të largohen (huazohen). Siç raporton Marca, Zizou ju ka bërë me dije se nuk do mbështetet tek ta për sezonin e ardhshëm.
Faza sulmuese ka qenë problemi më i madh, problem i cili synohet të zgjidhet me transferimin e Eden Hazard nga Chelsea (sulmues i majtë, por i aftë të luajë edhe në krahun e djathtë të sulmit apo edhe si mesfushor) dhe Luka Jovic (qendërsulmues). Transferimi i Hazard duket pothuajse i sigurt dhe ardhja e tij është kyçi i projektit të ri të klubit. Belgu është një ndër lojtarët më të mirë në botë – super energjik, i shpejtë, teknik, driblues dhe kontribon shumë për skuadrën me gola dhe asiste. Mund të luajë pothuajse kudo në sulm dhe po ashtu në fazën e avancuar të mesfushës. Nga ana tjetër, Luka Jovic, një qendërsulmues shumë potent, pritet të ndajë pozicionin e numrit 9 me Karim Benzema (në varësi të skemave të Zizou, me 2 qendërsulmues apo me 1 qendërsulmues dhe 2 sulmues krahu).
Po ashtu, pritet të ketë rol kryesor edhe sensacioni i këtij sezoni, talenti brazilian Vinicius Junior i cili shihet me sy shumë të mirë nga tifozët në Bernabeu. Vasquez, Mariano apo Asensio do jenë alternativa shumë të mira në sulm, lojtarë të aftë për të ndryshuar lojën sapo inkuadrohen.
Me një portier si Courtois, mbrojtës si Ramos apo Marcelo, me një mesfushë me lojtarë si Modric, Kroos, Isco dhe transferime të mundshme Pogba/Eriksen, me një sulm me lojtarë si Hazard, Vinicius, Benzema, Jovic dhe mbi të gjitha me një trajner si Zinedine Zidane, tifozeria madrilene ka të drejtë të ëndërrojë apo jo?