Zinedine Zidane e ka nisur me fitore rrugëtimin e tij të dytë si trajner i Real Madridit.
Në fitoren e Madrilenëve, prej 2-0 ndaj Celta Vigos, përformancë të mirë dhuruan pikërisht ata lojtarë që asesi nuk arritën të gjenin vend në 11-shen startuese të ish-trajnerit, Santiago Solari.
Derisa Isco e Bale shënuan nga një gol, Marcelo asistoi një herë, ndërsa Asensio kishte merita të mëdha tek goli i parë i takimit, ai i Iscos.
Krahas tyre, edhe portieri Navas zhvilloi një ndeshje të mirë. Kostarikani bëri një pritje spektakolare, duke i mohuar golin sulmuesit të Celta Vigos, Maxi Lopez.
Për paraqitjet e tyre, lëvdatat nuk i kurseu trajneri Zinedine Zidane. Ai në konferencën për media bëri të ditur se llogaritë në të gjithë lojtarët aktualë, pasi që sipas tij, ata janë lojtarë të mirë.
“Unë kam një skuadër prej 23, 24, 25 lojtarësh dhe do të mbështetem tek të gjithë. Thibaut Courtois dhe Sergio Reguilon kanë bërë mirë deri më tani, të tjerë gjithashtu. Por në të njëjtën kohë Keylor është shumë i mirë, Marcelo gjithashtu, Isco gjithashtu”, tha Zidane.
Zizou, pa dhënë shumë detaje, e pranoi se në merkaton verore do të bëjnë disa ndryshime në ekip.
“Unë nuk do të jem këtu duke menduar çdo 10 ndeshje nëse dikush që ka luajtur mirë, do të qëndrojë apo duke menduar që ai që luajti keq duhet të shkojë”, u shpreh Zizou.
Për sa i përket pozitës së portierit, Zidane ka deklaruar se deri në fund të sezonit do të mbështetet në të tre portierët të cilët i ka në dispozicion.