Florentino Perez gjithmonë mer kohën e nevojshme për të marë vendime të rëndësishme. Jo vetëm në rastet kur gjithçka duket në favorin e ekipit, por edhe në rastet kur presioni është i lartë dhe të gjitha skenaret flasin keq për Real Madridin. Humbja e dhimbshme ndaj Ajax nuk ishte vetëm goditja përfundimtare e javës më të keqe që mban mend Real Madridi, por edhe skenari më i mirë i mundshëm për të patur argumente dhe arsye që është koha për të vendosur për të ardhmen e disa lojtarëve që duket sikur nuk janë më në lartësinë e fanellës.
Pa dyshim, nuk është momenti më i mirë për presidentin Madrilen, por ai vazhdon të mbaje një qëndrim dinjitoz për të kaluar sezonin dhe për të ri-ndërtuar një ekip që nga klubi vazhdojnë të besojnë se jo gjithçka është një ‘tmerr’ dhe vendimet që kanë marë jo të gjitha janë të këqija. Përpara nënshkrimeve të mundëshme do të ketë një reflektim të gjatë dhe do të shikohet interesi afatgjatë i klubit.
Santiago Solari nuk do të vazhdoje të jetë trajner i Real Madridit në sezonin që vjen. Vendimi tashmë është marë dhe është kumtuar, ndërsa nga bordi drejtues veçse ka nisur të punohet për zëvendësuesin dhe sot për sot që po flasim, pasardhësi i Solarit nuk do të jetë Jose Mourinho. Marëdhënia me teknikun është e mirë por ideja është të mbahet një tjetër filozofi në skuadër dhe drejtuesit po kërkojnë një profil ndryshe.
Lista është e reduktuar. Nuk ka shumë për të zgjedhur dhe disa prej tyre veçse kanë kontrata afatgjate me klubet respektive, ashtu si Jurgen Klopp, Mauricio Pochettino apo Massimiliano Allegri, trajnerë me profila të ndryshëm, por të doktoruar në mënyrën e veçantë të tyre për të menaxhuar grupet dhe egot e lojtarëve, e që në kohët e fundit rezulton të jetë vendimtare për çdo skuadër. Por të lartëpërmendurit nuk janë të vetmit që po diskutohen brenda taborit Madrilen.
Ka dhe një tjetër emër që përflitet në ditët e fundit, madje edhe përpara eleminimit ndaj Ajax dhe ky emër nuk është i padëgjuar mes nesh. ”Rrethanat kanë ndryshuar për rikthimin e mundshëm të tij. Nuk e përjashtoj si mundësi”, thoshte një zë autoritativ në hierarkinë e klubit.
Këta rrethana janë shumë më ndryshe në skuadrën aktuale që nga koha kur ai u largua. Është fjala për Zinedine Zidane që për momentin nuk dëshiron të bëje hapa të nxituar drejt rikthimit në stolin Madrilen teksa largimi i Cristiano Ronaldos nuk i la një shije të mirë teknikut. E ardhmja e lojtarëve si Isco apo Bale nuk flet mirë për të ardhmen e ekipit dhe këto janë gjëra që e shqetësojnë Francezin, që aktualisht po reflekton nëse dëshira e tij është rikthimi në stol.
Të mos harrojmë edhe një detaj familjar. Të gjithë djemtë e tij luajnë në Madrid dhe familja e tij e afërm është e vendosur në kryeqytet, vend në të cilin tekniku ndjehet komod dhe i lumtur.