Trajneri i Real Madridit, Santiago Solari ka vlerësuar aq lartë talentin e Vinicus Jr, saqë ka thënë se ai ka disa gjëra të cilat nuk mund të mësohen.
Këtë mendim të tij për brazilianin, trajneri aktual Madrilen e bëri të ditur në konferencën për media përpara ndeshjes se nesërme ndaj Viktoria Plzenit në kuadër të Champions Leagues.
“Unë preferoj që ai të jetë një plotësisht një futbollist i ekipit të parë, por është një proces që ndodhë në mënyrë graduale. Është e qartë se ai ka gjëra për të mësuar, por ai gjithashtu ka gjëra që nuk mund të mësohen”, u shpreh Solari.
Solari do të debutojë si trajner i Real Madridit në Champions League pikërisht në ndeshjen e nesërme ndaj Viktoria Plzenit.
Sipas Solarit të luajturit në këtë kompeticion, i cili lidhet me historinë e Real Madridit, është gjithmonë një ndjenjë shumë e mirë.
“Kur himni këndohet, ne të gjithë jemi të motivuar. Është ndeshja ime e tretë në stol dhe jam shumë i lumtur që duhet ta jetoj. Si një lojtar e kam shijuar shumë këtë kompeticion”, deklaroi 42 vjeçari.
I pyetur nëse do të startojë me Keylor apo Courtois, Solari u pergjigj duke thënë se nuk do të tregojë asgjë për formacionin deri në ditën e nesërme.
Solari komentoi edhe deklaratat e Ramos, i cili ditë më parë tha se është krenar që tifozët Madrilen gjithë zemërimin e tyre në ndeshjen ndaj Real Valladolidit e shfaqen tek ai.
Ramos me këtë deklaratë të tij, siç thotë tekniku Madrilen, deshironte të tregonte që mund ta mbajë mbi supe peshën e të qenit kapiten i Real Madridit.
“Është një përgjegjësi e madhe. Ai ka qenë një kapiten fantastik dhe ende është. Ramos përmbush rolin e tij në mënyrë të përsosur dhe nuk është e lehtë”, bëri të ditur Solari.