Lëvizja e Antonio Contes në Real Madrid duket sikur ka ngecur. Tekniku Italian mund të ketë hequr dorë nga dëshira për të trajnuar Real Madridin. Të paktën, ky është lajmi i fundit që përcjell e besueshmja ‘Cuatro‘ në Spanjë e që më pas konfirmohet edhe nga Onda Cero.
Gjithnjë sipas Cuatros, tekniku Italian pasi ka marë kohë dhe ka reflektuar gjatë, ka hequr dorë nga stoli i Real Madridit. Arsyet janë akoma të panjohura, por nuk mendohen të jenë financiare. Përflitej se Conte dëshironte të paguhej po aq sa Vlaverde dhe Simeone që të merte drejtimin e skuadrës dhe Real Madridi ia ka plotësuar këtë kusht, por çështja vijon të jetë diku tjetër.
Sipas raporteve të fundit, arsyeja kryesore pse Conte ka hequr dorë nga puna në krye të Real Madridit, mund të ketë qenë fakti që Italiani ka ndjerë se jo çdokush në dhomat e zhveshjes do të ishte në favorin e tij dhe kjo nuk do të sillte asnjë dobi në asnjërën palë.
Se çfarë do të ndodhë më konkretisht, pritet të mësohet orëve në vijim, por për momentin, Conte është larg Real Madridit.