Nacho Fernandez ka mbështetur Julen Lopeteguin dhe në një intervistë të dhënë për EFE ka theksuar që skuadra është me teknikun ‘deri në vdekje’ pas një ecurie të dobët në ndeshjet e fundit. Trajneri i Real Madridit ka mbështetjen e lojtarëve dhe Nacho potencon që pauza e kombëtarëve është një shans i mirë për të pastruar mendjen.
Mbrojtësi poashtu veçoi edhe mungesën e stabilitetit në mbrojtje dhe një ideologji ndryshe në aspektin ofenziv si dy arsye kyçe për startin e dobët të sezonit. Ai kërkoi që emri i Ronaldos të harrohet sepse Real Madridi nuk mund t’i referohet të shkuarës.
Askush nuk e mbante mend emrin e Ronaldos në fillim të sezonit
”Në fillim të sezonit, shënonim shumë gola,” filloi ai. ‘‘Dhe askush nuk e mbante mend Cristiano Ronaldon, që startoi me Juventus pa shënuar gol dhe njerëzit thonin që pasi u largua nga Real Madridi, ai ka ndaluar së shënuari. Në futboll, gjithçka ndryshon.”
”Cristiano Ronaldo ishte shumë i rëndësishëm për ne,” potencoi ai. ”Në fund, ai shënonte 50 gola për sezon por ne nuk duhet të fajësohemi dhe nuk mund të qajmë për atë që ka ndodhur në të shkuarën. Duhet të ecim përpara me atë që kemi, kjo është një skuadër shumë e mirë dhe ne jemi të përgaditur për gjithçka.”
Ndërsa sa i përket të ardhmes së Lopeteguit, Nacho nuk është në mëdyshje. ”Në situatën që jemi tani, me dy pikë prapa liderit dhe në luftë për çdo kompeticion, kjo as që duhet të diskutohet. Në botën e futbollit dhe akoma më tepër në Real Madrid, gjithçka që ndodh shumëzohet me mijëra. Kur humbet apo barazon një ndeshje në Real Madrid, duket sikur është krizë. Kur janë katër ndeshje, gjithçka duket sikur ka marë fund.”
”Lojtarët janë me trajnerin deri në vdekje,” thotë ai për Lopeteguin. ”Jemi të qetë. Kemi përjetur situata të tilla apo edhe më keq por gjithmonë kemi ditur të ecim përpara. Nuk mund të siguroj nëse do të fitojmë tituj në fund të sezonit, por Real Madridi gjithmonë ka treguar që trajneri dhe lojtarët që janë në skuadër, luftojnë gjithmonë për gjithçka. Ne do të jemi aty deri në fund.”