Ish-portieri i Liverpoolit, Loris Karius, ka deklaruar se Sergio Ramos ende nuk i ka kërkuar falje për goditjen që ia bëri në kokë në finalen e Champions Leagues.
Nga kjo goditje, Kariusi po pretendon se pësoi një dëmtim celebral, i cili ishte shkaktar edhe i dy gabimeve që në fund ishin fatale për ekipin e tij.
“Nuk është një justifikim, por një shpjegim. Nuk e di nëse Sergio Ramos më goditi qëllimisht apo jo, por di të them që nuk më ka kërkuar kurrë ndjesë”, është shprehur ai.
Karius në një intervistë për Bild tha se pavarësisht gabimeve që bëri nuk do ta lejojë askënd t`ia shkatërrojë atë që ka arritur.
“Vjet realizova një sezon fantastik, me një finale të pafat, por në sport ka edhe zhgënjime. Duhet të dish si t`i kalosh këto momente zhgënjimi”, ka deklaruar Karius.
25 vjeçari u huazua në këtë merkato nga Liverpooli te Besiktas.