Real Madridi është gati të luajë ndeshjen e parë zyrtare që kur Cristiano Ronaldo u transferua te Juventusi dhe Gareth Bale do t’a ketë ‘timonin’ në vend të tij.
Për herë të parë që nga transferimi i tij në Santiago Bernabeu, Uellsi do të luajë jashtë hijës së Ronaldos dhe shpreson që të udhëheqë Los Blancos drejt fitimit të SuperKupës së Europës.
Julen Lopetegui ka ndërtuar sulmin bazuar rreth Bale-t gjatë parasezonit, me ish-lojtarin e Tottenhamit që ka shënuar tre herë dhe ka dhuruar një asistim në katër ndeshje.
Këto shifra janë edhe më mahnitëse duke pasur parasysh faktin se ai luajti vetëm 45 minuta në dy ndeshjet e para, pastaj 57 minuta kundër Romës dhe 75 kundër Milanit.
Gjithashtu, Bale ka fituar 13 trofe me Real Madridin dhe ai ishte vendimtar në finalen e Kievës, ku Reali mposhti Liverpoolin.
Ai do të shpresojë të jetë po aq i rëndësishëm edhe në Estoni, nesër.