Përpara ndeshjes ndaj Juventusit në kuadër të ICC, trajneri i Los Blancos, Julen Lopetegui para mediave përkrahu virtytet e asistentit të ri, Albert Celades dhe preku tema të ndryshme.
“Celades është shumë i mirë dhe sigurisht që ne jemi shumë të lumtur. Ai do të na ndihmojë shumë në të gjithë punën përgatitore të skuadrës, atë që bëjmë në fushë dhe jashtë saj. Jemi të kënaqur që do të na bashkohet me stafin tonë stërvitor.” – tha Lopetegui fillimisht.
Në ndeshjen e parë parasezonale të Real Madridit, që u zhvillua në Miami, Reali humbi ndaj Manchester Unitedit (2 – 1), dhe tani Juventusi nuk pritet të jetë ndonjë kundërshtar më i lehtë.
“Ka lojtarë që kanë ardhur në faza të ndryshme kohore gjatë përgatitjeve parasezonale. Bilanci është pozitiv, ne po punojmë shumë, siç është normale në këtë kohë të vitit, me intensitet të madh dhe me lodhje të akumuluar. Po marrim në konsideratë koncepte të reja dhe konsolidimin e çështjeve të lojës kolektive dhe situatave taktike.” – shtoi më tutje tekniku bask.
“Më ka pëlqyer që skuadra kishte personalitet, pavarësisht dallimit të madh kohor që ishte në përgatitje fizike & taktike (kundër Manchester Unitedit). Skuadra, sidomos në pjesën e dytë, luajti një lojë të mirë në përgjithësi dhe u munduam të tregojmë se sa fort kemi punuar në stërvitje.”
“Objektivi ynë kryesor në parasezon është përgatitja për ndeshjet zyrtare dhe arritja në mënyrën më të mirë të mundshme në nivel kolektiv dhe individual.” – përfundoi ai.