Real Madridi i epokës së Lopetegui zyrtarisht filloi më 16 korrik. Pas disa ditëve stërvitje në Valdebebas, ekipi udhëtoi në Miami ku tashmë ka zhvilluar edhe ndeshjen e parë parasezonale dhe të parën nën udhëheqjen e teknikut Spanjoll.
Në Miami ekipi u mposht nga Man UTD me rezultat 2-1 por do të rikthehet të zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera miqësore para se të filloj zyrtarisht sezonin më 15 gusht ndaj Atleticos në finalen e superkupës së Europës që do të luhet në Tallin të Estonisë.
Dy miqësoret e fundit të ekipit para se të fillojë sezonin 2018/19 janë ndaj Juventusit dhe ndaj Romas në kuadër të International Champions Cup.
Ndaj Juventusit të Cristiano Ronaldos, ekipi do të luajë të dielën më 5 gusht nga ora 00:00 në Maryland ndërsa ndaj Romas më 8 gusht nga ora 02:00 në New Jersey.
Pasi të përfundojnë këto dy ndeshje, ekipi do të rikthehet në Madrid ku do të zhvillojë përgatitjet e fundit para ndeshjes së parë zyrtare për sezonin e ri dhe të parën zyrtare nën udhëheqjen e Julen Lopeteguit, ndaj Atleticos më 15 gusht nga ora 20:45.