Ditët kur do të rikthehen në stërvitje lojtarët po afrohen. Pas pushimit të disa lojtarëve dhe më pak të disa tjerëve për shkak të angazhimit me kombëtaret e tyre në botëror, ekipi shumë shpejt do të fillojë parasezonin 2018/19.
Mbledhja e parë e ekipit nën udhëheqjen e trajnerit Julen Lopetegui do të jetë më 16 korrik në Valdebebas dhe lojtarët do të stërviten në Spanjë deri pak ditë para se të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku edhe këtë vit do të luajnë International Champions Cup.
Ndeshja e parë në parasezonin e këtij viti dhe nën udhëheqjen e Lopeteguit do të jetë ndaj Manchester United më 01 gusht 2018, ndeshja e dytë ndaj Juventusit më 05 gusht dhe ndeshja e tretë ndaj Romës më 08 gusht.
Pasi të përfundoj ky kompeticion, ekipi do të rikthehet sërish në Madrid dhe do të zhvillojë përgatitjet për ndeshjen finale të Superkupës së Europës ndaj Atletico Madridit më 15 gusht në Tallin, kryeqytetin e Estonisë, ndeshje e cila do të jetë e para zyrtare nën udhëheqjen e Lopeteguit dhe e sezonit të ri.