Florentino Perez do të tentojë të nënshkruajë përseri me Kylian Mbappen në këtë merkato verore pas përformancave që ky i fundit po tregon me kombëtaren e Francës në Kampionatin Botëror i cili po zhvillohet në Rusi.
Një gjë e tillë bëhet e ditur nga prestigjozja El Confidencial. Ndryshe nga merkato e kaluar kur Real Madridi vendosi të mbajë treshen BBC, në këtë merkato klubi Madrilen është i gatshëm të shesë njërin nga 3 lojtarët në fjalë dhe të sjellë në Bernabeu 18 vjeçarin francez.
Kjo do të jetë hera e 3-të që Madrilenet do të tentojnë të nënshkruajnë me Mbappe. Herën e parë marrëveshja thuajse e finalizuar me Monacon u prish për shumën e 30 milionëve eurove të cilat i kërkonin këta të fundit e që nuk pranonin t`i jepnin te Real Madridi.
Tentimi i dytë në anën tjetër nuk u realizua si pasojë e gatishmerisë jo të plotë të ekipit Madrilen dhe futjes në garë të PSG. Ekipi francez ishte i gatshëm të paguante shumën e kërkuar nga Monaco për talentin Mbappe.
Real Madridi siç raporton El Confidencial planifikon t`i dhurojë një shumë të konsiderueshme të të hollave PSG dhe vetë lojtarit Mbappe. Mediumi në fjalë teksa flet për këtë shumë që e quan të konsiderueshme nuk saktëson ndonjë shifër.
Megjithëatë, Al Khelaifi do ta ketë fjalën e fundit dhe duke pasur parasysh performancat e Mbappes në këtë botëror duket e pamundur që të pranojë largimin e tij, përveç nëse vetë lojtari pretendon të largohet nga Parisi.