Derisa po pret për rikthimin e Jesus Vallejos në stërvitje të plotë, dy ditë para ndeshjes ndaj Juventusit, Zinedine Zidane tashmë ka filluar të mendojë për opsionin e mbrojtjes në ndeshjen e së mërkurës nëse mungon Ramos, Nacho dhe Vallejo.
Ramos është i pezulluar, Nacho është i dëmtuar ndërsa Vallejo gjatë ditës së sotme u stërvit vecmas nga pjesa tjetër e lojtarëve dhe gjithcka do të zbulohet nesër nëse do të jetë i gatshëm qendërmbrojtësi i ri Madrilen për ndeshjen ndaj Zonjës së Vjetër në Bernabeu.
Por nëse edhe Vallejo nuk rikthehet atëherë opsioni i Zidane do të jetë që të vendosë Casemiron në qendër të mbrojtjes së bashku me Varane. Tashmë Casemiro kishte luajtur si qendërmbrojtës në fillimet e tij te Sao Paolo. Gjithashtu ai në këtë pozitë ka luajtur në 3 ndeshje për Madridin (dy si titullar dhe një tjetër në El Clasico pas përjashtimit me të kuq të Ramos), dhe asnjë nga këto ndeshje nuk i ka fituar ekipi.
Humbi 2-1 ndaj Celtas në Copa del Rey në sezonin e kaluar. Barazoi 2-2 ndaj Valencias në ndeshjen e dytë të La Ligas këtë sezon dhe herën e tretë ishte më 23 prill 2017 ndaj Barcelonës, humbje 2-3 në sekondat e fundit.
Tekniku Francez nëse vendos Casemiron në mbrojtje atëherë në mesfushë do të luante me Kovacic, Modric, Kroos, dhe Isco apo Asensio, duke mos harruar edhe Vazquez. Por asgjë nuk do të dihet derisa të jetë e ditur se a do të jetë i gatshëm Vallejo apo do të mungojë edhe këtë ndeshjes sikurse që mungoi në derbin Madrilen.