Carlo Ancelotti ka dalë në konferencën për shtyp pas ndeshjes kundër Shakhtar, ku ka prekur tema të ndryshme.
FITORJA E VUAJTUR – “E prisnim një ndeshje të tillë, sepse Shakhtar është një ekip mjaft ekspert, që i pëlqen të jetë nën presion dhe godet shumë lehtë në kundësulm, ndaj duhej shumë kujdes e qetësi”.
VETEM 2 NDERRIME – “Nuk doja të krijoja probleme, ndaj ndërrova Carvajal dhe Benzema, i pari sepse vjen nga një periudhë pa futboll, i dyti ishte i lodhur. Nuk doja shumë ndërrime”.
HAZARD JASHTE – “Eden është gati të luajë. Ndoshta mund të luante sot, ndoshta të shtunën. Duhet të jetë gati, sepse do ketë minuta. Mund të luante nga fillimi, por në fund preferova Lucas Vazquez. A është Hazard i nervozuar? Do ishte reagimi normal për këdo, në situatën e tij. I kërkova falje, atij dhe Asensios, sepse i lashë për shumë kohë në nxehje, por nuk i futa”.
VINICIUS – “Së bashku me Courtois, është në formë të jashtëzakonshme, i del mbarë gjithçka. Ka shumë besim tek vetja dhe është në formë perfekte psikologjike. Megjithatë, edhe Benzema, apo Militao e Alaba, si dhe mesfushorët, janë në formë perfekte dhe po paraqiten shumë mirë”.
FISHKELLIMAT – “I kuptoj tifozët. Ata duan gjithnjë shumë dhe bëjnë mirë që na vërshëllejnë, sepse na motivojnë për të bërë më mirë dhe për të kuptuar kur gabojmë”.