Jeta ka ndryshuar për Vinicius Junior, që kur drejtimin e Realit e ka marrë Carlo Ancelotti. Ky i fundit, i pyetur për transformimin e brazilianit, dje tha: “Nuk kam bërë asgjë të veçantë, nuk kam magjistar. Thjesht e kam vënë në vendin e vet dhe i kam dhënë besim”.
Në fakt përgjigja është plotësisht sqaruese, sepse Vinicius deri sezonin e shkuar kishte probleme pikërisht këto këto 2 drejtime.
Së pari, Zinedine Zidane nuk dinte ende ku ta vendoste në fushë, pasi e provoi në shumë pozicione, por jo me vazhdimësi.
Se dyti, trajneri francez e shihte Vinicius si një plan B, një alternativë të Eden Hazard. Vetë Zidane në një moment të sezonit të shuar tha: “Vinicius luante më shumë sezonin e shkuar sepse mungonte Hazard. Tani Hazard luan në vendin e tij”.
Fjali që natyrisht dëmtuan moralisht Vinicius, i cili e dinte se çfarëdo që të bënte, mbetej rezervë.
E kundërta ndodh me Ancelottin, i cili e ka pozicionuar Vinicius si sulmues të majtë dhe mbi të gjitha nuk sheh më hierarki, luan kush është në formë. Hazard në asnjë moment nuk ka treguar se meriton të luajë, ndërsa Vinicius po dhe kjo e bën brazilianin të paprekshëm, duke bërë që të rritet jashtëzakonisht edhe moralisht.