Kryeredaktori i AS për Real Madridin, Tomás Roncero, e ka ndjekur ndeshjen kundër Osasunas në studiot e Cadena SER, ku ka komentuar ecurinë e takimit dhe në fund ka dhënë verdiktin e tij, duke evidentuar problemet e Realit.
“Bernabeu po na kthehet në siklet, në vend që të ishte kështjella jonë. Reali shpesh vuan kur duhet të përballet me ekipe që ulin qepenin, si Villarreal, Sheriff dhe tani Osasuna. I mungojnë idetë, nuk ka qartësi, duket sikur është fundi i takimit që në pjesën e parë dhe i kap paniku.
“Benzema kohët e fundit nuk po i ecën mbarë asgjë. Ky ekip është i varur totalisht nga golat e tij. Në pjesën e dytë Ancelotti tentoi ndryshime, por ishte e qartë që eksperimenti Camavinga-Asensio dështoi.
“Reali luajti me zemër, iu afrua shpesh portës kundërshtare, por i mungon imagjinata, freskia. Në Camp Nou kishte hapësira dhe Reali ka nevojë për to. Në Madrid, kur nuk ka ajër, Reali vuan. Është e vërtetë që Osasuna pati vetëm një rast, por mund të shënonte gol, sepse goditi shtyllën.
“Për ta përmbledhur, Reali po humbet shumë mundësi për ta lënë pas Barcelonën, që është e plagosur rëndë dhe i duhej dhënë një goditje e fortë. Është një kampionat shumë i ekuilibruar, si kurrë më parë, asnjë ekip nuk të dhuron asgjë. Sulmi duhet të përmirësohet.
“Meqë ra fjala, në pjesën e parë mund të jepej një penallti për faull ndaj Vinicius. Nuk u dha. Si në Camp Nou. Rastësi, por gjithnjë Realit po i ndodh. Tre herë këtë sezon“.