Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, po has në të njëjtin problem që kishte paraardhësi i tij, Zinedine Zidane dhe bëhet fjalë për të zgjidhur ndeshjet kundër ekipeve që mbyllen në mbrojtje që nga minuta e parë.
Reali ka barazuar pa gola ndaj Osasuna dhe para pak javësh u mund nga Sheriff në Champions. Të dyja këto ekipe shkuan në Madrid me plan të qartë: mbrojtje e ngjeshur dhe kundërsulm.
Los Blancos, edhe pse tentuan në çdo mënyrë, nuk e gjetën fitoren. Kundër Osasunas Reali tentoi me goditje dënimi, me krose e gjuajtje nga distanca, pa ia dalë mbanë.
Lojtarë si Benzema, Marcelo apo Camavinga patën shanse të pastra, por këto ishin të pakta dhe barrikada Osasuna ishte tepër e vështirë të kalohej.
Situata ishte identike edhe me Zidane sezonin e shkuar, sepse kundër ekipeve të vogla sapo kalonte pjesa e parë pa gol, bëhej e pamundur për të shënuar. Vetëm ndeshjet ku Reali shënonte shpejt, fitoheshin me lehtësi dhe me shumë gola.
Ancelotti duhet të gjejë zgjidhjen për këtë problem, që mund të kthehet në shumë serioz sepse në të ardhmen shumica e ekipeve do të luajnë si Osasuna.