Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, ka komentuar me qetësi barazimin kundër Osasunas, duke u shprehur i kënaqur për lojën e të tijve, përtej rezultatit.
BARAZIMI – “Mund të fitonim, luajtëm mjaft mirë, krijuam shumë raste dhe mungoi vetëm produkti final. Në raste të tilla një trajner është i kënaqur, sepse kur një ekip krijon shumë, jo gjithnjë përfundon barazim. Do thonë që jam i çmendur, por mua ndeshja e sotme më pëlqeu”.
PENALLTI E PRETENDUAR NGA VINICIUS – “Temë shumë e ndërlikuar, e vetmja gjë që pashë është që Vini i tha arbitrit të shihte në VAR dhe nuk e kuptova pse në atë moment. Tani, duke e parë rastin, shkelja me këmbë nga mbrojtësi duket penallti. Pse nuk ndërhyri VAR? Nuk e di, nuk kam si ta di”.
PROBLEME NË BERNABEU – “Në ndeshjet e fundit, kundër Sheriff e Osasuna, meritonim fitoren. Është e vërtetë që duhet të mendojmë që këto ndeshje janë më të ndërlikuarat për ne, për shkak të tipareve që ka skuadra. Në këto ndeshje na mungon prania në zonën kundërshtare. Në pjesën e dytë e bëmë, hymë në zonë rregullisht. Marcelo, Benzema, ishin shumë pranë portës. E provuam deri në fund, me karakteristikat tona”.