Milani dhe Real Madridi kanë bërë disa transferime të suksesshme këto vitet e fundit, me Theo Hernandez e Brahim Diaz që po shkëlqejnë në Serie A. Tani pritet transferimi i radhës, sepse edhe një lojtar i Realit pritet të shkojë në Milano.
Bëhet fjalë për një tjetër të panevojshëm, Isco, i cili kërkon të ringjallet në Itali, pas disa sezonesh të errëta në Bernabeu. Mefushori 29-vjeçar ka luajtur gjithnjë e më pak sezonet e fundit dhe në sezonin aktual ka luajtur vetëm 166 minuta në LaLiga, ndaj është e qartë që Carlo Ancelotti dhe klubi madrilen nuk e ka më në plane.
Kontrata e mesfushorit përfundon në verë 2022, ndaj Reali shpreson të përfitojë sado pak duke e shitur në janar, përveçse duke hequr qafe pagën e tij. Këtu hyn në lojë Milani, që është duke luftuar për titull në Serie A dhe në javët e fundit është gjymtuar nga dëmtimet, ndaj i duhet një futbollist cilësor në mesfushë, sidomos duke parë që Brahim Diaz nuk ka alternativa cilësore dhe në janar do të largohen për të luajtur në Kupën e Afrikës Bennacer e Kessie, dy nga shtyllat e mesfushës.
Sipas Todo Fichajes, Milani do të paguajë 3-4 milionë euro për të marrë që në janar Iscon, transferimi i të cilit do të konfirmonte marrëdhënien e shkëlqyer Milan-Real.