Editorial i Ruben Jimenez, MARCA
Është e kuptueshme. Nëse vjehrria të vjen për vizitë, është normale që të mos rrezikosh dhe gatuan atë që di më mirë. Është normale që Ancelotti të shkojë në Camp Nou me Casemiro, Kroos e Modric. Sepse këta 3 emra të japin një rrjetë sigurie ku është e lehtë të rehatohesh. Dhe Carletto Ancelotti atë bëri. Nëse Reali vuajti ndopak në pjesën e dytë, nuk ishte për meritë të Barcelonës, që nuk kishte fuqi të kafshonte. Ishte sepse Ancelotti nuk nuhati erën e gjakut dhe nuk hodhi në fushë Valverde e Camavinga.
Është ndoshta kritika më e madhe që mori Zidane me vete, kur iku nga Reali. Nuk rinovoi ekipin, nuk lejoi ndryshimin e brezave, duke i mërzitur lojtarët e rinj me ndeshje pa fund në stol. Për pasojë, Reali e sheh veten në 2022 me po atë mesfushë që kishte 7 vite më parë. Me Odegaard tek Arsenali, Kovacic tek Chelsea, Marcos Llorente tek Atletico…
Dhe me Valverde që ende pret të bëjë hapin final dhe me Camavinga që mbërriti me një buzëqeshje të stërmadhe, por që është zhdukur nga harta. Në Camp Nou, kundër një Barcelone të varfër, Ancelotti tregoi respekt të tepruar dhe i vonoi ndërrimet, duke lejuar Barcelonëntë afrohej rrezikshëm kur ndeshja dukej e mbyllur.
Duke parë përtej ndeshjes në Camp Nou, frika afatgjatë është që Ancelotti të përsëritë të njëjtat gjëra, të rehatohet me mesfushën veterane dhe të mos rrezikojë. Sepse shumë njerëz ishin të eksituar në lidhje me transferimin e Camavingas, i cili sjell freski dhe xixa. Sepse Valverde ulërin për më shumë minuta.
Është e vështirë të ulësh në stol ndonjërin prej 3 “tenorëve”, por ndërsa po shkruaja këtë artikull, dëgjova pranë meje “Nuk është më koha e Casemiro-Kroos-Modric”. Futbolli ka ndryshuar dhe Madridi duhet të ndryshojë. Ose, të paktën, të ecë drejt ndryshimit.