El Clasico konsiderohet gjerësisht si ndeshja më e madhe e futbollit në nivel klubesh. Beteja individuale mes lojtarëve më të talentuar në botë, kartonë të kuq, momente spektakolare, festime ironizuese.
Më poshtë janë listuar 5 nga El Clasico më të mirë ndër vite.
Real Madrid 5-0 Barcelona (7 janar, 1995)
Barcelona e Johan Cruyff vizitonte Bernabeun dhe synonte të hidhte një hap gjigant drejt titullit. Trajneri holandez e kishte transformuar Barcelonën në një ekip të nivelit botëror me stilin e tij tiki-taka, dhe në formacion luanin trajneri aktual Ronald Koeman dhe trajneri aktual i Man City, Pep Guardiola.
Reali kërkonte t’i jepte fund dominimit katalanas në LaLiga dhe ia doli mbanë në mënyrë spektakolare.
Sulmuesi kilian Ivan Zamorano, i blerë për 5 milionë euro nga Sevilla në 1992, shënoi 3 gola në pjesën e parë, ndërsa Jose Amavisca e Luis Enrique kompletuan triumfin në pjesën e dytë, në një fitore të paharrueshme dhe vendimtare, sepse Los Blancos fituan titullin atë sezon.
Real Madrid 4-2 Barcelona 2 (10 prill, 2005)
Në kulmin e epokës Galacticos, golat e yjeve të vet e ndihmuan Realin të merrte një fitore të madhe në garën për titull në sezonin 2004/2005.
Zinedine Zidane shënoi në fillim dhe Ronaldo dyfishoi pas një krosi nga Beckham. Samuel Eto’o ktheu Barcelonën në lojë, por Raul shënoi golin e tretë. Më pas Oëen u kombinua me Beckham për të shënuar golin e katërt, para se Ronaldinho të shënonte një gol ngushëllimi.
Real Madrid 2-6 Barcelona (2 maj, 2009)
Barcelona ishte e pandalshme gjatë vitit 2009, kur fitoi gjithçka të mundshme në planet, me 6 trofe në një vit. Për këtë arsye, ishte e qartë që Reali kishte pak shanse qoftë edhe në Madrid, aty ku Barça arriti një fitore të madhe, ndër më të mëdhatë në histori.
Higuain shënoi fillimisht për Realin, pastaj Henry barazoi dhe 2 minuta më vonë Carlos Puyol shënoi golin e dytë blaugrana. Lionel Messi shënoi golin e tretë para pushimit, ndërsa Ramos shënoi në minutën e 56-të për Realin. Henry shënoi sërish në pjesën e dytë, pas tij Messi e Pique vulosën triumfin blaugrana.
Barcelona 5-0 Real Madrid (29 nëntor, 2010)
Guardiola mori hak për turpërimin si lojtar 5-0 në 1995, sepse si trajner fitoi 5-0 ndaj Realit të Jose Mourinhos në 2010.
Xavi shënoi që në fillim, Pedro pak minuta më vonë, ndërsa David Villa shënoi 2 gola në pjesën e dytë, në një ndeshje ku Sergio Ramos doli me karton të kuq. Ishte humbja më e rëndë deri në atë moment për Mourinho.
Real Madrid 3-4 Barcelona (23 mars, 2014)
Dueli i çmendur i vitit 2014, me 7 gola, është ndoshta El Clasico më spektakolar në histori.
Iniesta shënoi për Barcelonën sa filloi ndeshja, por Karim Benzema me 2 gola të shpejtë përmbysi për Realin. Messi ktheu barazinë para pushimit, ndërsa Ronaldo me 11-metërsh shënoi për Realin në pjesën e dytë.
Sergio Ramos u ndëshkua me karton të kuq pas një faulli ndaj Neymar në zonë, edhe pse Pepe ishte shumë pranë dhe e kishte topin nën kontroll. Messi nuk gaboi nga 11 metrat, para se të shënonte sërish nga pika e bardhë në minutën e 85-të, pas një penalltie të fituar nga Iniesta.
Me atë fitore Barça rihapi garën për titull dhe u shpall kampione në fund të sezonit.