Karim Benzema është në këtë moment shqetësimi i madh i Realit. Sulmuesi francez pësoi një dëmtim në këmbën e djathtë mesjavën e shkuar në Kiev dhe ndonëse u duk diçka e lehtë, e ka ndaluar yllin madrilen të stërvitet rregullisht ditët e fundit.
Tek Los Blancos ekziston bindja që Benzema do luajë titullar në Camp Nou të dielën, por nga ana tjetër francezi u stërvit në palestër të premten, pa dalë fare në fushë, ndaj është koha për plan B.
Sipas mediave në Spanjë, Ancelotti provoi të premten dy variante dhe do ta bëjë sërish sot.
I pari sheh Valverde titullar, duke kaluar në skemën me 4 mesfushorë. Kështu shtohet prania në mesfushë në një ndeshje delikate, por Ancelotti e ka pranuar se skema 4-3-3 është më e mira për Realin.
Për këtë arsye, varianti 2 duket më i mundshëm, me Hazard titullar në 4-3-3, me Rodrygo si sulmues kryesor në vend të Benzema. Gjithsesi, shpresohet që këto prova të jenë pa vlerë, sepse pritet stërvitja e sotme për të parë gjendjen e Benzema.