Marco Asensio po humbet pak nga pak vendin në ekip, që pas paraqitjes fantastike kundër Mallorcas. Mesfushori ofensiv u aktivizua në fundin e takimit në Kiev, kundër Shakhtar, dhe mbeti shumë i zhgënjyer, sepse priste të luante nga fillimi, ndërsa Ancelotti preferoi Rodrygo në sulm dhe Modric e Kroos në mesfushë.
Aktualisht Asensio ka zbritur ndjeshëm në hierarkinë dhe nuk luan titullar prej 25 shtatorit, kundër Villarrealit.
Në këtë moment Asensio ka para tij shumë lojtarë, si në pozicionin e sulmuesit të krahut, ashtu edhe në mesin e fushës. Lojtarë si Rodrygo, Hazard dhe Bale janë përpara tij në krahë, ndërsa Modric, Camavinga, Kroos e Valverde janë qartësisht në avantazh në mesfushë.
Diçka mund të ndryshojë në ndeshjet e ardhshme, sepse kalendari do jetë shumë i ngjeshur dhe Ancelotti e ka zakon që bën shumë rotacion. Në një sistem 4-3-3, Asensio mund të gjejë hapësirë si gjysmësulmues, por është e qartë që titullar do të luajë rrallë këtë sezon.
Ancelotti është munduar ta qetësojë, duke i kërkuar të ketë durim, por janari po afron dhe ndoshta për të gjithë do ishte mirë që Asensio të largohej.