El Clasico i parë i sezonit 2021-2022 po afron dhe është e qartë që pritshmëria është shumë e madhe për duelin që do të luhet në 24 tetor në Camp Nou, në duelin e parë mes Real Madrid e Barcelona që pas largimit të Lionel Messit.
Megjithatë, pavarësisht largimit të argjentinasit, apo edhe emrave si Sergio Ramos e Varane, Karim Benzema është i bindur se ndeshja mes dy rivalëve të egër mbetet “ndeshja më e madhe në futboll”.
“Për mua është e njëjta gjë. Mbetet ndeshja më e mirë që ekziston në futboll“, tha Benzema në një intervistë për ESPN. “Nuk ka rëndësi çfarë lojtarësh luajnë, cilët kanë ikur apo cilët do të vijnë. Real Madrid kundër Barcelonës është historike“.
Benzema nuk shqetësohet nga ndryshimet në ekipe: “Ka pasur edhe më parë emra të mëdhenj, si Zidane, Ronaldinho, Ronaldo, Eto’o. Megjithatë, El Clasicon nuk e bëjnë emrat, mbetet dueli numër 1, gjithnjë“.
Sulmuesi i Realit nuk i zë besë Barcelonës: “Nuk ekziston kurrë ndonjë moment i mirë për të luajtur kundër tyre. Një ekip si Barcelona, apo çdo ekip i këtij niveli, mund të luajë një ndeshje të dobët dhe të reagojë fuqishëm. Është një ndeshje që nuk po e nënvlerësojmë, pak rëndësi ka forma e tyre“.
Natyrisht, pyetja e zakonshme për Topin e Artë: “Është diçka fantastike të jesh në listë, është gjithnjë objektiv. Megjithatë, unë mendoj së pari të ndihmoj ekipin të fitojë. Kolektivi është prioritet, nëse fitojmë të gjithë së bashku, dalin në pah edhe cilësitë e çdo lojtari“.