Real Madrid do të pushojë këtë fundjavë në kampionat, pasi ndeshja kundër Athletic Bilbao është shtyrë, si pasojë e kthimit me vonesë e lojtarëve që kanë luajtur në kualifikueset e Amerikës së Jugut.
Një lajm i mirë për Carlo Ancelottin, i cili do t’i ketë më të freskët lojtarët për mesjavën e ardhshme, në Champions, kundër Shakhtar Donets.
Megjithatë, trajneri italian ka një problem të madh dhe quhet Fede Valverde. Mesfushori nga Uruguai është në formë të mirë fizike, nuk ka ndonjë dëmtim, por është në një situatë mjaft delikate, sepse po rrezikon të shkojë në limitet e energjive të tij.
Këtë sezon mesfushori ka luajtur 16 ndeshje, në 61 ditë, që do të thotë një ndeshje çdo 3m8 ditë. As Reali (10 ndeshje në 10) dhe as Uruguai (6 në 6) nuk i kanë dhënë ndonjë ndeshje pushim mesfushorit punëtor, i cili tashmë po kap 1500 minuta futboll dhe nuk duhet të harrojmë që jemi ende në mesin e muajit tetor, ndërkohë që shumë lojtarë shifrën 1500 minuta e kapin në mes të sezonit, apo në pranverë.
Asnjë lojtar i Realit nuk ka luajtur aq shumë sa Valverde, as Courtois e Benzema, ndërkohë që të enjten Valverde ishte i vetmi lojtar i Realit në fushë, sepse Vinicius nuk luajti në Brazil-Uruguai.
Për këtë arsye, Ancelotti tashmë duhet të bëjë kujdes dhe ndoshta që mesjavën e ardhshme në Kiev do ta lërë pushim Valverden, për ta pasur gati për El Clasico. Për fat, Casemiro, Camavinga, Isco e Asensio i kanë lënë pas problemet fizike dhe Kroos e Modric janë në formë perfekte, ndaj Valverde më në fund mund të marrë pak frymë.