Para disa muajsh UEFA u fut në luftë me Real Madrid, Juventus dhe disa klube që mbështesnin idenë e krijimit të një SuperLige të re, jashtë varësisë së UEFA-s. Natyrisht, bëhej fjalë për një kompeticion me më pak klube dhe më shumë para, e kundërta e Champions League, që ndër vite ka kaluar në ekstrem, duke pranuar edhe vendet e katërta në ligat e kryesore.
Florentino Perez kishte idenë e një minikampionati ku do të merrnin pjesë vetëm klubet e elitës dhe paratë do të menaxhoheshin nga vetë klubet. Një ide e pamenduar mirë, sepse dolën shumë pikëpyetje rrugës, por nga ana tjetër edhe UEFA u kap ngushtë, sepse realisht një pjesë e madhe e fitimeve nga Champions League përfundon pikërisht në arkën e qeverisë europiane të futbollit.
Për këtë arsye, presidenti i UEFA-s Ceferin e ka kuptuar rrezikun që mund t’i kanoset sërish në të ardhmen dhe ka ideuar një reformë për të kënaqur të gjithë. Lajmet e fundit (‘Il Giornale’) flasin për idenë e UEFA-s për t’u dhënë klubeve kryesore europiane një kontroll më të madh për të drejtat dhe marrëveshjet e marketingut në Champions League. Pra, pikërisht ajo që kërkonin Reali dhe klubet e tjera në mars dhe UEFA e refuzoi prerë.
E përkthyer në fjalë të thjeshta, Ceferin bën ofertë: harrojeni Superligën, po studiojmë një model të ri nga i cili do të përfitoni më shumë para, për periudhën 2024-2027. Champions e reformuar do të krijojë më shumë të ardhura, sepse do të jenë 36 klube, me 10 ndeshje në fazën e grupeve dhe jo 6 si tani.
Arkitekt i operacionit do jetë ECA, organizata e klubeve europiane, që tashmë drejtohet nga bosi i PSG, Nasser al-Khelaifi, pas largimit të Andrea Agnellit. Deri në 2024 32 klubet pjesëmarrëse në Champions do të ndajë 2 miliardë euro në sezon, ndërsa më pas përfitimet do të rriten dhe klubet rebele do të ulin armët.