Futbolli francez është në modë, jo thjesht për milionat që është i aftë të shpenzojë PSG për të blerë yje, por edhe për talentet pa fund që prodhon kampionati francez dhe që më pas shkëlqejnë në Angli, Spanjë e Itali.
Real Madrid duket se tashmë i ka kthyer sytë nga kombëtarja franceze, sepse Florentino Perez ka dhënë mandat që të sigurohen disa lojtarë të Gjelave.
Natyrisht, synimi i madh është Kylian Mbappe: i ri, me klas, Topi i Artë me shume gjasa në të ardhmen. Sulmuesi i PSG donte Realin që verën e shkuar, prej 1 janarit mund të firmosë lirisht parakontratë, duke qenë në fund kontrate.
Megjithatë, Mbappe nuk është i vetmi që do bashkohej në Madrid me Benzema e Mendy. Tashmë në modë është rikthyer edhe Paul Pogba, edhe ky i lirë verën e ardhshme. Mesfushor i nivelit të lartë, Pogba do ishte një shtysë më shumë edhe për Mbappe, përveçse do përforconte ndjeshëm një mesfushë ku Modric ka nevojë për një pasardhës të denjë.
Ndërkaq, ditët e fundit po flitet gjithnjë e më shumë për Tchouameni. Mesfushori i Monacos është një sozi e N’golo Kante dhe Reali e ka forcën të shpenzojë të paktën 40 milionë euro për të, mjafton që Tchouameni të dëshirojë Los Blancos, para klubeve angleze që mund të ofrojnë më shumë.
Ne këtë mënyrë, po përgatitet një Real Madrid francez si kurrë më parë në histori.