Eden Hazard dhe Real Madrid, një martesë perfekte në pamje të parë, që krijoi entuziazëm kur ndodhi, në verën e vitit 2019, me madrilenët që paguan 115 milionë euro.
Megjithatë, futbolli nuk është shkencë dhe llogaritë shpesh dalin gabim. Hazard ka pasur probleme fizike pa fund në 2 vite në Madrid, ka luajtur pak dhe nuk e ka gjetur kurrë formën që kishte tek Chelsea.
Tani belgu është kthyer në një problem për Realin dhe problemin mund ta zgjidhë vetë Chelsea. Sipas El Nacional në Spanjë, klubi anglez ka kërkuar informacion nga Reali në lidhje me Hazard, pasi një kthim në Londër mund të ishte zgjidhja perfekte për të gjithë.
Hazard është 30 vjeç, në Angli ka qenë gjithnjë në nivele shumë të larta dhe nëse kostoja është e ulët, Chelsea është gati ta marrë.
Megjithatë, Reali kërkon të rikuperojë një pjesë të investimit të vet dhe e ka të qartë se asnjë klub nuk shpenzon shifra të mëdha për Hazard. Për këtë arsye, Los Blancos kanë propozuar një këmbim me Reece James, mbrojtës 21-vjeçar i kombëtares angleze, i cili luan djathtas, por edhe në qendër të mbrojtjes. E vështirë, pasi Chelsea nuk mund të gabojë më me të rinjtë e vet, si ka gabuar me Fikayo Tomori, i cili iu shit Milanit shumë lirë.