Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, ka mbetur i zhgënjyer nga fakti që Spanja nuk ka më asnjë lojtar madrilen në përbërje dhe e ka të qartë që Luis Enrique nuk ka ndonjë problem personal me Realin, duke qenë se nga ekipi aktual i Los Blancos asnjë lojtar spanjoll nuk bind.
Për këtë arsye, Perez ka në plan një revolucion në ekip dhe përveç yjeve si Mbappe e Haaland, në shënjestër për verën e ardhshme do të jenë shumë të rinj spanjollë, me 7 emra që janë përmendur në mediat në Spanjë.
I pari është sulmuesi i Real Sociedad, Mikel Oyarzábal, i cili në këtë moment është ndër lojtarët më të mirë që luajnë në La Liga, nga futbollistët spanjollë.
Në mbrojtje synimi i madh është Pau Torres, qendërmbrojtësi i Villarreal i kthyer tashmë në lojtar kyç në kombëtare, por edhe shoku i tij në qendër të mbrojtjes, Aymeric Laporte, i pëlqen Realit.
Në të djathtë të mbrojtjes ndiqet me vëmendje rritja e Pedro Porros tek Sporting Lisbona, lojtar që po shkëlqen prej 1 viti.
Në mesfushë emri i ëndërruar është Rodri, mesfushori i Manchester City, por çmimi i tij është mbi 70 milionë euro dhe duket objektiv shumë i vështirë.
Ndërkaq, ndër emrat e rinj më të pëlqyer janë Dani Olmo e Yeremy Pino, 23 dhe 18 vjeç përkatësisht.