Më në fund erdhi dita që të flasë vetë Kylian Mbappe, i cili për herë të parë ka shpjeguar çfarë ndodhi verën e shkuar, kur dëshironte të largohej nga PSG për tek Real Madridi.
Francezi ka dhënë versionin e vet të ngjarjeve, në një intervistë për Jerome Rothen në RMC Sport, që do publikohet të martën.
“Kërkova të largohesha dhe që nga ai moment nuk doja të rinovoja, doja një transferim nga i cili klubi të fitonte para mjaftueshëm për të gjetur një zëvendës të nivelit të lartë për mua“, shpjgon Mbappe.
“Kam qenë gjithnjë i lumtur te PSG, e lajmërova klubin me kohë që të merrnin masa, në mënyrë që të fitonim të gjithë dhe të ndaheshim si miq. Megjithatë, e respektova vendimin e klubit dhe u thashë ‘Nëse nuk doni që të largohem, po qëndroj‘.
“Njerëzit thonë që kam refuzuar 6-7 oferta për rinovim, që nuk dua të flas më me Leonardo dhe kjo nuk është aspak e vërtetë“, sqaron Mbappe. “U thashë që dua të iki, kaq, nuk kam pasur asnjë problem tjetër. Nuk është e vërtetë që e lajmërova PSG vetëm në javën e fundit të gushtit, e kam lajmëruar shumë më herët dhe nëse PSG thotë të kundërtën, më bën të ndihem si hajdut“.