Real Madrid është përqendruar në merkato tek përforcimet e sulmit, por edhe në repartet e tjera do të bëjë goditje të rëndësishme, duke parë problemet e këtij sezoni.
Një ndër pozicionet ku Los Blancos duan të përforcohen eshtë qendra e mbrojtjes dhe lajmet e fundit nga Spanja (DefensaCentral) flasin për një pistë të bujshme, atë të Milan Skriniar.
Qendërmbrojtësi sllovak është një ndër lojtarët më të rëndësishëm të Interit dhe ndër më të spikaturit në kampionatin italian, ndërkohë që verën e ardhshme do të hyjë në vitin e fundit të kontratës dhe ende nuk ka sinjale rinovimi.
Përfaqësues të lojtarit ia kanë ofruar Realit, me një çmim mëse të pranueshëm, rreth 30 milionë euro, ndaj në Madrid po mendohen, pasi me Skriniar do të përforcohej jashtëzakonisht qendra e mbrojtjes dhe do të ekzistonte mundësia që Alaba të luante edhe në të majtë në rast nevoje.
Ndërkaq, në listën e Realit mbeten edhe Rüdiger e Koundé, me të parin që kërkon një pagë shumë të lartë dhe të dytin që zor se lëshohet nga Sevilla.