Administrimi ekonomik i Realit këto vitet e fundit ka qenë fantastik dhe tashmë po jep fryte. Klubi i bardhë ka dalë shumë më i fuqishëm financiarisht se shumica e klubeve të mëdhenj në Europë, duke pasur tashmë një limit pagash prej 739 milionë eurosh (270 milionë më shumë se seazonin paraardhës), çka i mundëson verën e ardhshme të afrojë lojtarë të nivelit botëror, pa pasur probleme financiare.
Publikimi i të dhënave të fundit, në lidhje me bilancin e sezoneve 2019-2021, ka evidentuar krizën e thellë të Barcelonës, që ka regjistruar humbje prej 481 milionë eurosh, ndjekur nga Inter me 246 milionë dhe Juventus me 210 milionë, tre klubet me bilancin më negativ në Europë sezonin e shkuar.
Ndërkaq, Reali ka dalë mbi sipërfaqe, me 1 milion euro fitim, diçka e pabesueshme në kohë pandemie. Si është arritur? Vitet e fundit janë larguar lojtarë si Cristiano Ronaldo, Achraf Hakimi, Varane e Odegaard, janë hequr qafe disa paga të rënda, përfshirë kapitenin Sergio Ramos, si dhe ekipi ka pranuar ulje page gjatë pandemisë, duke bashkëpunuar me klubin.
Ekuilibër perfekt mes shpenzimeve dhe arkëtimeve, përfshirë ecurinë në Champions, një shembull për t’u ndjekur nga shumë klube, ndaj tashmë Reali ka forcën financiare për të firmosur jo vetëm me Kylian Mbappe, por edhe me Erling Haaland, nëse do arrihet marrëveshja. Nuk duhet harruar që verën e ardhshme Reali do të lirojë verën e ardhshme edhe 60 milionë euro bruto, pasi do të largohen Bale (30 milionë bruto), Marcelo (16 milionë) e Isco (14 milionë), me të cilët nuk do të rinovohen kontratat.