Marco Asensio shënoi 3 gola ndaj Mallorcas dhe u duk se fitoi sërish terren në hierarkinë e Real Madrid, por realisht Carlo Ancelotti dhe klubi nuk e kanë në planet e së ardhmes. Numri 11 madrilen kërkon të jetë lojtar titullar, diçka që nuk ia garantojnë në Madrid, ndaj e ardhmja duket larg Realit.
Drejtuesit e Los Blancos nuk do refuzojnë nëse Asensio kërkon largimin, por nga ana tjetër kanë një plan në mendje, sipas mediave në Spanjë.
Synimi madhor i Realit, përveç Kylian Mbappe, është Erling Haaland, sulmuesi norvegjez i Dortmundit, i cili me shumë gjasa do të ndryshojë ekip në verën e vitit 2022.
MARCA siguron se Haaland dhe agjenti i tij Mino Raiola kanë një marrëveshje me Dortmundin, sipas së cilës sulmuesi do ta zgjedhë vetë klubin ku dëshiron të luajë dhe Dortmund nuk do bëhet pengesë. Natyrisht, çmimi është shumë i lartë, por Reali kërkon të përfshirë edhe Marco Asensio në marrëveshje.
Nëse Dortmundi do pranojë para dhe Asensio, ky i fundit mund ta marrë në konsideratë operacionin, me kusht që të bëhet lojtar kyç në Dortmund dhe t’i garantohet aktivizim i rregullt.