Real Madrid e nisi sezonin në mënyrë të shkëlqyer, para se të frenonte në dy ndeshjet e fundit, kundër Villarreal e Sheriff, duke mos fituar dot në duelet e luajtur në Bernabeu.
Carlo Ancelotti është detyruar të bëjë ndryshime në formacion çdo javë, sa për dëmtimet, ashtu edhe për faktin se ende nuk ka gjetur një formacion bazë dhe ka lojtarë që herë pas here duhet të pushojnë, apo të tjerë që duhet të luajnë, por jo rregullisht.
Duke analizuar 9 ndeshjet e Realit në sezonin e ri, këta janë 11 lojtarët me më shumë minuta me Ancelottin: Courtois (810), Militao (810), Benzema (799), Valverde (788), Alaba (720), Nacho (686), Casemiro (673), Vinicius (671), Modric (411), Hazard (364) e Miguel Gutiérrez (327).
Duke i vendosur në pozicionet e tyre në fushe, ky do ishte formacioni titullar: Courtois; Nacho, Militao, Alaba, Gutiérrez; Casemiro, Modric, Valverde; Vinicius, Hazard, Karim Benzema.
Befasi është fakti që Hazard është ndër lojtarët më të aktivizuar, edhe pse ka pasur probleme fizike dhe nuk luan dot dy ndeshje rresht. Ndërkohë, po ashtu i riu Miguel Gutiérrez po merr shumë minuta, por kjo për faktin se mungojnë për dëmtime mbrojtësit e tjerë të majtë.
Do të shohim në vazhdim nëse lojtarë si Marco Asensio, Toni Kroos, Rodrygo, Lucas, Jovic e Bale do të gjejnë më shumë hapësirë, pasi është e qartë që Ancelotti do të mundohet të ketë të paktën një grup prej 16-17 lojtarësh tek të cilët mund të bazohet çdo javë për formacionin titullar.