Pini Zahavi ishte personazh kyç në transferimin e David Alaba tek Real Madrid, sepse agjenti i austriakut ka marrëdhënie shumë të mira me klubin madrilen dhe gjithnjë e shihte me prioritet kalimin e Alaba në Madrid.
Tani Zahavi, duke parë edhe suksesin që ka pasur menjëherë në Madrid Alaba, kërkon të bëjë sërish biznes me Realin dhe i ofron një tjetër yll të Bundesligës gjermane.
Bëhet fjalë për mesfushorin Christopher Alan Nkunku, një ndër lojtarët më të spikatur të Leipzig, i cili ka shkëlqyer edhe në Champions, aq sa në ndeshjen e parë në grup këtë sezon i shënoi 3 gola Manchester Cityt.
Defensa Central në Spanjë raporton se Zahavi ia ka propozuar Realit 23-vjeçarin, por drejtuesit e klubit madrilen kanë lënë pezull çdo diskutim, pasi synim kryesor është së pari mbyllja e transferimit të Kylian Mbappe dhe më pas do të tentohet blerja e Erling Haaland. Për dy sulmuesit Florentino Perez do të shpenzojë shifra të mëdha, mes kostos së transferimit, pagave dhe komisioneve, ndërsa më pas do të bëhen llogaritë për lojtarë të tjerë, duke parë edhe shitjet e mundshme, sepse Reali verën e ardhshme do të kërkojë lojtarë edhe në mbrojtje.