Carlo Ancelotti është i shqetësuar, për të dytën ndeshje Reali nuk fiton dhe tashmë tensioni është i qartë. Humbja e parë sezonale ka ardhur pikërisht kur nuk pritej, ndaj Sheriffit debutues, por trajneri i Realit nuk di si ta shpjegojë këtë disfatë, duke parë lojën.
Humbja: “Jemi të shqetësuar, por i patëm shanset për të fituar. Më shumë se të shqetësuar, jemi të trishtuar. Luajtëm mirë, me intensitet, krijuam lojë e raste. Detajet e vogla na kushtuan shumë. Ka momente kur të përndjek fati i keq, edhe Sheriff u mbrojt mirë, si mundi. Ekipi krijoi shumë mundësi, është e vështirë ta shpjegosh këtë humbje”.
Valverde e Camavinga si anësorë në mbrojtje: “Camavinga është i mësuar të luajë atje, sepse e ka bërë kur ishte më i ri. Valverde e mbuloi mirë krahun e djathtë. Ndeshja ishte nën kontroll, nuk besoj se e humbëm për shkak të anësorëve të mbrojtjes. E humbëm për detaje të vogla, nuk e meritonim humbjen, ishte ndeshje e çuditshme”.
Hazard: “I mungon goli. Luajti mirë, bashkëpunoi me Benzema, por goli nuk po i del, meritë edhe e portierit”.
Nervat me arbitrin: “Ishte një problem me arbitrin e katërt. I thashë që ishte ndeshja numër 130 që drejtoja në Champions dhe ishte hera e parë që dikush kaq ri tregonte mungesë respekti ndaj meje. Nuk dua të flas për gjykimin”.