Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, ka dalë në konferencë për shtyp para sfidës kundër Sheriff Tiraspol në Champions League, në program këtë të martë (ora 21.00, Bernabeu). Ja deklaratat e tij…
Kritikat: “Nuk më kanë habitur. Është normale që nëse më pyesin nëse plani në ndeshjen e fundit ishte i gabuar, mund të mendohem ose mund të them po, por nuk do ta pranoj kurrë zyrtarisht. Ndonjëherë kritikat të ndihmojnë të përmirësohesh”.
Qendërmbrojtësit që nuk njihen ende mirë me njëri-tjetrin: “Është pak e ndërlikuar, por Milito e Alaba po kuptohen shumë mirë, disa ndeshje i kemi mbyllur pa pësuar gol. Është një bashkëpunim kolektiv, jo vetëm i mbrojtjes. Militao e Alaba duhet të mësohen të luajnë bashkë, por e kanë nisur mirë”.
Champions: “Për ne është diçka e veçantë të përfaqësojmë këtë klub. Është kompeticion shumë i ndërlikuar, i vështirë, e kemi për zakon ta fitojmë shpesh, ndaj kemi një avantazh të lehtë. Tani do të luajmë një ndeshje Champions në Bernabeu, kemi kujtime të shkëlqyera dhe duhet të përgatitemi mirë. Sheriff është ekip shumë i mirë, i organizuar, do na duhet përqendrim i madh, edhe për faktin që nuk e njohim mirë”.
Plani për Modric: “Jam i kënaqur, ka pasur një dëmtim dhe është kthyer mirë. Kur e ndërroj një lojtar në minutën 75, nuk e bëj se ka luajtur dobët, por sepse dua freski. Luka në pjesën e dytë kundër Villarreal ndryshoi dinamikën e ndeshjes, luajti si gjysmësulmues duke kontrolluar Capoue, por nuk e ndërrova sepse nuk e bëri mirë këtë gjë. Kam parasysh edhe moshën 36 vjeç dhe 10 minuta më pak mund t’i shmangin ndonjë problem në të ardhmen”.
Krahasimi me Zidane: “E vështirë të thuhet, sepse lojtarët ndryshojnë, ekipi ka ndryshuar, nuk më pëlqejnë krahasimet. Zizou i bëri gjërat në mënyrë më të mirë që mundej, uroj që edhe unë të fitojë 3 apo më shumë Champions rresht, si ai”.
Krahu i djathtë, pa Carvajal: “Është e vërtetë që kemi pasur probleme, janë dëmtuar Mendy, Marcelo, Carvajal, ndonjëherë edhe Nacho. Pozicioni ndryshon në bazë të taktikës, kur luan Rodrygo më duhet një anësor që nuk shtyn shumë, që qëndron në pozicionin e vet. Kjo ka ndikuar që Lucas Vazquez të mos luajë, por nëse më duhet një anësor që shtyn përpara, Lucas është më i miri”.
Mendy: “Është mirë, pas ndërprerjes së kampionatit mund të nisë të luajë”.
Benzema dhe të rinjtë: “Nuk e di nëse flasin me njëri-tjetrin privatisht, por çdo ditë kam fatin të stërvis një profesionist ndër më të mirët në botë, i përulur”.
Shumë mesfushorë: “Rëndësi ka që t’i kemi gjithnjë në dispozicion, sepse të gjithë do jenë të dobishëm. Problemi nuk është të bësh formacionin, por të mos kesh mundësi të bësh një mënyrë loje, sepse rrallë kam pasur mesfushë kaq cilësore. Tek Reali kam pasur Alonso, Khedira, Di Maria, Modric… Problemi është kur nuk i ke lojtarë të tillë”.