Reali i Madridit është i përqendruar te kalendari i ngjeshur mes kampionatit e Champions, por ndërkohë drejtuesit e klubit po analizojnë ecurinë e javëve të para dhe e kanë të qartë tashmë që mbrojtja ka probleme.
Gjithçka lidhet me Dani Carvajal, dëmtimi i të cilit ka krijuar një problem të madh në krahun e djathtë, ku askush nuk po e zëvendëson si duhet.
Për të mos shkuar deri në fund të sezonit me të njëjtat probleme, Reali mund të ndërhyjë në janar në merkato, me ndonjë huazim, por ndërkohë mendohet edhe në planin afatgjatë.
Një ndër emrat që ka shkëlqyer sezonin e shkuar dhe po bën shumë mirë edhe këtë sezon është Pedro Porro, mbrojtësi 22-vjeçar i Sporting Lisbonës.
Spanjolli nga Don Benito është i huazuar deri në 2025 te Sportingu nga Manchester City dhe Reali po e ndjek me vëmendje ecurinë e tij, pasi Man City vështirë se mund t’i garantojë hapësirë në të ardhmen, aq sa edhe vetë Porro para pak kohësh deklaroi me humor: “Nuk besoj se Guardiola e di që jam në pronësi të Cityt”.