Carlo Ancelotti nuk pret dot fundin e sezonit, sepse Real Madrid ka nevojë urgjente për një mbrojtës të djathtë, duke parë dëmtimet e Carvajal dhe vështirësitë për të gjetur një mbrojtës tjetër të aftë të mbulojë atë rol.
Për këtë arsye, mediat në Spanjë raportojnë se Reali do të futet në treg që në janar, për të gjetur një mbrojtës të djathtë pa shpenzuar shumë, pra vetëm në huazim.
Tre janë kandidatët në shënjestër: Diogo Dalot, Denzel Dumfries e Aurelio Buta.
Dalot ishte sezonin e shkuar pjesë e Milanit dhe tashmë është rezervë në Manchester, edhe pse konsiderohet një lojtar me të dhëna shumë të mira, i cili ka nevojë të luajë. Për këtë arsye, kalimi tek Reali, qoftë edhe në huazim për 6 muaj, duket zgjedhje që kënaq të gjithë.
Denzel Dumfries është transferuar këtë verë nga PSV tek Inter, ndaj duket e vështirë që të ndryshojë menjëherë kampionat, por në Milano përshtatja nuk ka qenë e lehtë dhe nuk është çudi që Interi ta huazojë, por vetëm me detyrim blerjeje, për të rikuperuar milionat e shpenzuara për të.
Ka edhe emra të tjerë në listë, por të një profili më të ulët dhe pa eksperiencë në nivele të larta, si Aurelio Buta, mbrojtës i Antwerp në Belgjikë, me vlerë 3.5 milionë euro. Ndërkaq, Reali ëndërron Trent Alexander-Arnold nga Liverpool, por do të duhej një sforcim shumë i madh ekonomik, gjithnjë nëse Liverpool është i hapur për shitjen e mbrojtësit të vet.