Euforia e mesjavës, me fitoren e thellë ndaj Mallorca, është shuar për Realin, pasi Villarreal e ka ndalur te barazimi 0-0 në Bernabeu, këtë të shtunë.
Një ndeshje shumë e ndërlikuar, pasi Villarreal fitues në fuqi i Europa League luajti një ndeshje perfekte, shumë agresive dhe me agresivitet të jashtëzakonshëm, duke bllokuar manovrën madrilene.
Ancelotti e nisi me Valverde në të djathtë të mbrojtjes, ndërsa Asensio luante në mesfushë, lëvizje që i uli forcën Realit në mesfushë dhe e lejoi Villarrealin të krijonte shumë rreziqe.
Pjesa e parë pati shumë pak emocione dhe vendimtar për Realin në minutën e 13-të ishte Courtois, me një devijim të shkëlqyer pas gjuajtjes së Danjuma.
Edhe në pjesën dytë, pavarësisht se u fut Camavinga për Rodrygo, sërish Reali hasi në vështirësi të mëdha dhe Villarreal krijoi disa raste të mira.
Në minutën e 73-të u fut edhe Hazard për Modric, ndërsa në minutën e 82-të Reali pati rastin më të mirë të ndeshjes, kur një goditje me kokë nga Isco u ndal nga portieri mik dhe Vinicius nuk arriti ta shtynte topin në rrjetë. Ishte rasti më i mirë pe madrilenët, që janë detyruar të kënaqen me 1 pikë, që gjithsesi i mban në krye, me 17 pikë, 3 mbi Sevilla e Atletico Madrid.