Vinicius Jr është i paprekshëm për Realin. Klubi madrilen e di që ka blerë një lojtar shumë cilësor dhe tashmë po korr frytet e investimit të vet.
Braziliani e ka nisur shkëlqyeshëm sezonin dhe mbi të gjitha duket se ka ende hapësira të mëdha përmirësimi, aq sa nuk është çudi që në të ardhmen të bëhet pretendent për Topin e Artë, nëse vijon kështu.
Vetëm 21 vjeç, Vinicius ka kontratë deri në 2024 dhe Reali kërkon të rinovojë sa më shpejt. Më shumë vite në kontratë, rritje page, nga 6 milionë euro që është aktualisht në të paktën 8-9, si dhe një risi: klauzolë anti-PSG.
Klubi-shtet me financime nga Katari ka fuqi të jashtëzakonshme ekonomike, siç e tregoi kur pagoi klauzolën e Neymar, ndaj Reali po planifikon të futë në kontratën e Vinicius një klauzolë që vlen vetëm për PSG: 1000 milionë euro!
Të paktën ky është lajmi i publikuar në Spanjë, ndërsa mbetet për t’u parë kur do të bëhet realitet.