Real Madrid zbret në fushë të mërkurën në mbrëmje, për ndeshjen e javës së gjashtë kundër Mallorcan, ndaj trajneri i Piratëve, Luis García Plaza, ka analizuar duelin, duke folur gjerësisht për Realin.
Benzema e Vinicius: “Benzema ka qenë në formë të shkëlqyer për shumë kohë, nuk është se po bën gjëra të mira vetëm tani. Edhe Vinicius është pjekur, duket më i mprehtë dhe fizikisht është mirë. Ka fituar vetëbesim dhe ndihet i aftë të bëjë atë që ka në mendje. Përveç kësaj, ka gjetur edhe golat. Të dy janë lojtarë shumë të mirë“.
Ndryshimi i Vinicius këtë sezon: “Vlerësimi final bëhet kur bën një sezon të plotë, nuk mund të thuhet që tashmë shënon rregullisht. Besimi tek vetja është thelbësor. Ai nuk është golashënues, por tashmë ka shumë besim. E ndien që nëse gjuan drejt porte, shënon. Për këtë arsye, në këtë moment është i jashtëzakonshëm“.
Përballjet me Realin: “Kam barazuar me Realin kur drejtoja Levanten, e kam mundur kur isha tek Getafe, por gjithashtu më kanë shënuar 8 gola në një ndeshje. Në fund të fundit, rëndësi ka të jesh vetvetja, pa u shqetësuar për shumë gjëra. Duhet dhënë maksimumi, pastaj të dalë ç’të dalë“.
Reali dhe Barcelona larg nivelit të dikurshëm: “Madridi dhe Barça që kapnin 100 pikë zor se arrihen më. Ishin tepër superiore, kur përballeshim ndiheshim shumë të vegjël. Edhe tani janë superiorë ndaj ekipeve të tjera, por ka klube që e kanë zvogëluar shumë hendekun. Me një ndeshje mjaft të mirë ke shanse të fitosh kundër Realit dhe Barcelonës“.