Paris Saint-Germain vijon me strategjinë e vet për të ndërtuar një ambient sa më normal rreth Kylian Mbappe, edhe pse ky i fundit ka kohë që e ka bërë të qartë se nuk pranon të rinovojë dhe verën e ardhshme do të dalë i lirë në treg.
“Nuk e shoh Mbappe larg PSG në fund të sezonit, nuk e imagjinoj të ardhmen pa të”, tha javën e shkuar drejtori sportiv Leonardo, si për të treguar se gjithçka është në rregull mes PSG dhe yllit të vet.
Natyrisht, Reali pret me qetësi, por ndërkohë PSG vijon të tregojë “dashurinë” mes klubit e lojtarit, duke postuar pas ndeshjes kundër Lyon një video ku shfaqet presidenti Nasser Al-Khelaifi duke përqafuar sulmuesin e kombëtares franceze.
Edhe vetë Mbappe pas ndeshjes postoi një fotografi në Instagram, duke shtuar ngjyrat e PSG, natyrisht një mënyrë për të mbajtur të qetë edhe tifozët e PSG-së, pasi sezoni sapo ka nisur.