Vinicius Junior është një ndër futbollistët më në formë në qarkullim në këtë fillimsezoni dhe Real Madridi kërkon të evitojë surpriza të hidhura, ndaj do të mundohet të sigurojë sa më shpejt të ardhmen e brazilianit.
Eduardo Inda ka zbuluar në El Chiringuito de Jugones se klubi i bardhë kërkon të ndryshojë kontratën e brazilianit, që përfundon në 2025, duke e zgjatur deri në 2027 dhe duke ia rritur pagën sulmuesit të talentuar, që për momentin merr 6 milionë euro neto në sezon.
Gjithçka bëhet nga frika e futjes së hundëve nga ana e PSG, që kërkon hakmarrje për tentativat e Realit për të marrë Kylian Mbappe.
“Tek Reali po mendojnë të zgjatin kontratën e Vinicius, sepse PSG është aktivizuar. Është e pamundur për momentin, sepse klauzola e prishjes së kontratës është 750 milionë euro. Reali kërkon të rinovojë edhe për dy vite, deri në 2027, me rritje page”, siguroi drejtori i OKDiario në emisionin e njohur spanjoll.