Fitorja e Realit në Valencia, me një përmbysje të çmendur në minutat e fundit të ndeshjes, ka marrë lëvdata pa fund për shpirtin e treguar nga Los Blancos, por ka edhe zëra kundër dhe një ndër më kritikët është treguar ish-trajneri i Realit, Bernd Schuster.
Duke folur për Radio Onda Cero në Spanjë, gjermani ka dhënë mendimin e vet në lidhje me ndeshjen: “Valencia duhet të jetë krenare për ndeshjen që zhvilloi, por mënyra si humbi është për të shkulur flokët. Ndeshjen e humbi Valencia, nuk e fitoi Reali”.
Schuster analizon ndeshjen e Realit: “Duket sikur Realit i mjaftojnë 10 minuta në fund për të shtuar dy marshe. Vinicius ishte fantastik në fund, por duhet ta rishohë ndeshjen, sepse për shumë minuta ishte pasiv, mbulohej shumë lehtë nga mbrojtja e Valencias. Reali duhet të jetë një ekip që dominon ndaj çdo rivali, jo vetëm në 10 minuta në fund”.
Kritika edhe për mbrojtjen madrilene: “Mbrojtja e Realit më habiti, nuk mund të luajë në atë mënyrë. Shumë gabime, shumë e hapur tek goli. Hazard? Ancelotti e nxjerr nga loja sa herë skuadra është në disavantazh, Hazard nuk është në fushë në momentet më të rëndësishme”.