Rodrygo është vetëm 20 vjeç, por që tani po kap shifra veteranësh, sepse nëse do të luajë sot në Mestalla, kundër Valencias, do të regjistrojë ndeshjen 150 në karrierën e tij të re si profesionist.
Talenti brazilian ka luajtur 149 ndeshje deri tani, ku ka regjistruar 27 gola, plus 18 asiste. Para se të firmoste për Realin, kishte luajtur 82 ndeshje me Santos, ku shënoi 18 gola, me 8 asiste.
Vetëm 20 vjeç, Rodrygo është tashmë edhe pjesë e kombëtares së Brazilit, ku ka luajtur 3 ndeshje.
Tek Santos Rodrygo u bë një nga lojtarët e preferuar të tifozerisë, duke shënuar vetëm 2 muaj pas debutimit, ndërsa në mars 2018 u bë lojtari më i ri i Santos që debuton në Libertadores, në moshën 17 vjeç e 50 ditë.
Rodrygo shënoi në debutimin e tij për Realin, kundër Osasunas, duke u bërë lojtari i parë i lindur në shekullin 21 që shënon për klubin.
Gjithashtu, ai është lojtari i tretë më i ri që shënon një gol në historinë e klubit, në moshën 18 vjeç e 259 ditë. Edhe në Champions rendimenti ka qenë i shkëlqyer, me 6 gola në vetëm 8 goditje drejt porte, plus 4 asiste, në 675 minuta që ka luajtur.