Real Madrid e ka nisur sezonin e ri me shumë lojtarë të rinj dhe mundësi të shumta për lojtarë që kanë pasur më pak hapësitë sezonet e shkuar. Lojtarë si Gareth Bale, i cili e nisi mirë sezonin me rikthimin e Carlo Ancelottit, apo Eden Hazard, që ka dhënë shenja përmirësimi, edhe pse ende larg maksimumit të vet.
Megjithatë, ka edhe lojtarë që shqetësojnë klubin, sepse nuk po e gjejnë nivelin e vet më të mirë. Një prej tyre është Marco Asensio, i cili e ka nisur sezonin krejt në hije, me vetëm 69 minuta të luajtura në 5 ndeshje, 4 në kampionat e 1 në Champions, gjithnjë duke e nisur nga stoli.
Asensio ende nuk po “ndez” dhe ndërkohë kanë shënuar Vinicius, Hazard, Bale e Rodrygo, të gjithë përpara tij në hierarkinë e sulmit, pa llogaritur të paprekshmin Karim Benzema.
I rekomanduar tek Reali nga legjendari Rafael Nadal dhe i blerë për 3.7 milionë euro në 2014, Asensio u bashkua me Realin në 2016 dhe kishte ecuri të jashtëzakonshme deri në momentin kur u dëmtua në ligament, në korrik 2019.
Florentino Perez e ka Asension në listën e lojtarëve të preferuar, por tashmë Ancelotti dhe stafi i tij janë të shqetësuar dhe duan të gjejnë zgjidhjen për të rizgjuar një talent të madh, që ka pasur edhe probleme psikologjike pas dëmtimit. Nën kontratë deri në 2023, Asensio ka pasur oferta edhe verën e shkuar, por Reali do ta presë edhe këtë sezon, për të parë zhvillimin e tij, aq më shumë që është ende shumë i ri, vetëm 25 vjeç.